Flet nipi i 48-vjeçares së vrarë në Llaushë: Ndaj hallës sime është ushtruar dhunë shpesh, u kthye te burri për shkak të fëmijëve

Familja e L.Q., 48-vjeçare e cila u vra të mërkurën në Llaushë të Skenderajt, ka hapur të pamën në Burojë të Skenderajt. Ajo pritet të varroset në vendlindjen e saj. Për rastin tragjik ka folur njëri nga nipërit e viktimës, duke thënë se ndaj saj është ushtruar dhunë shumë shpesh. Ai pohon se halla ishte kthyer në shtëpinë e burrit për shkak të fëmijëve.

Sipas Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, i dyshuari pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme me viktimën, ka nxjerrë armën nga xhepi i jaknës dhe ka shtënë gjashtë herë në drejtim të viktimës, të cilën e ka goditur në trup dhe si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin rajonal të Mitrovicës.

Teksa flet për rastin nipi i viktimës thotë se për dhunën që burri ushtronte ndaj hallës së tij ishte në dijeni edhe policia.

“Neve na ka informu djali i axhës i cili është nip i tyre, na ka informu për rastin se ka vdekë halla. Halla jonë i ka tre fëmijë, te ajo është ushtru dhunë vitin e fundit shumë shpesh. Informatat i ka pas edhe policia kohën e fundit që ka ushtru dhunë kemi edhe dëshmi që herën e fundit kur ka pas problem halla jonë ka ardhë te ne, ka gjetë mbështetje te ne. Puna e fëmijëve e kemi kthy hallën edhe njëherë te burri, hallën ka ardhë me marrë me vëllezërit e tij, me dëshmitarë e kanë marrë”, tha ai për Gazetën Express.

“Herën e fundit nëse nuk gaboj, e ka raportu rastin në polici ditën e shtunë dhe policia s’besoj që janë marrë me rastin e kanë lënë të lirë dorasin”, tha ai tutje.

Ai tha se fëmijët e hallës së saj, dy djemtë dhe vajza janë në gjendje të rëndë emocionale.

“Fëmija janë në gjendje shumë të keqe emocionale”, u shpreh ai.

Sa i përket deklaratave të familjes së të dyshuarit se burri ka pasur kriza nervore, nipi i viktimës u shpreh: “Ai nuk ka pas kriza nervore, shumë shpesh i kemi ndihmu edhe me mjete materiale, por ka ushtru dhunë ndaj hallës sonë shumë shpesh”.

Ai tha se halla e tij do të varroset në vendlindje në Burojë të Skënderajt dhe se nga sot është hapur edhe e pamja.

“Varrimi pritet me u bë sonte në mbrëmje, orën nuk e dimë. Të pamën e kemi hapur”, u shpreh ai.