Gastronomët paralajmërojnë protesta: Qeveria ka rënë në gjumë dimëror, masat të lirohen për festa

Pas hyrjes në fuqi të masave të reja kundër përhapjes së koronavirusit, Shoqata e Gastronomëve ka paralajmëruar protesta, krejt kjo pas pakënaqësive karshi vendimeve të Qeverisë.

Sekretari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica, tha se do të mbajnë takim me Këshillin Drejtues për të marrë vendim pas masave të vendosura nga ekzekutivi.

Ai tha se do të bëjnë presion te Qeveria për realizimin e kërkesave të tyre, sepse institucionet e vendit, thotë ai, kanë rënë në gjumë dimëror. Sipas tij, nëse gjendja vazhdon të jetë e qetë, atëherë duhet të ketë lirim të masave sidomos në kohën e festave kur edhe vijnë bashkatdhetarët, që ai i konsideron infuzion për ekonominë.

“Ne do të mbajmë takim me Këshillin Drejtues të shoqatës së Gastronomëve të Kosovës dhe t’i shqyrtojmë pozicionet tona në raport me këtë situatë. Propozimet që do të bëhen në raport me Qeverinë e Kosovës edhe në rast të mosPërgjigjes e cila nuk po ndodh tash e një kohë të gjatë ku institucionet kanë rënë në gjumë dimëror.”

“Në rast se vazhdohet për pak ditë normalisht që do të diskutohet për organizimin e protestave. Ne tentojmë ta bëjmë presionin sa më të madh. Ose do të ketë hapje në rast të mosmbështetjes së gastronomeve, me ç’rast po afrohet edhe diaspora dhe mund të konsiderohet infuzioni i vetëm ekonomik në raport me sektorin e gastronomisë ose të bëhet mbulimi i disa shpenzimeve dhe të shtyhet TVSh në shtije në 8%, siç është deri me 31 dhjetor të këtij viti.”

Ai ka bërë të ditur se janë duke shqyrtuar mundësinë që të bëhen disa ndryshime ligjore sa i përket TVSh, e cila sipas tij duhet të shtyhet për vitin 2022.

“Realisht ne jemi duke shqyrtuar disa veprime përpara. Jemi t’u dashtë me të gjitha grupet parlamentare të kuvendit për me iniciuar disa ndryshime ligjore për shembull TVSh në shitje të shtyhet për aq sa të ketë pandemi së paku edhe për një vit”, tha ai për EO.

“Duhet të bëhet një mbështetje financiare edhe për pronarët e klubeve të natës, të sallave të dasmave, si një lloj kompensimi i dëmit në raport me pronarët e lokaleve. Duhet të bëhet subvencionimi i punëtorëve për gjashtë muaj dhe duhet të shqyrtohet mbështetja në raport me subvencionimin e interesit të kredive të këtyre dy domeneve të cilat janë mbajtur të mbyllura për 19 muaj dhe nuk iu është siguruar asgjë në proporcion me atë mbyllje që e kanë bërë me këto dy domene për 19 muaj.”

“Normalisht që këtë situatë po e kundërshtojmë dhe në rast se nuk ka mundësi shteti i Kosovës për t’i subvencionuar duhet m’i hapë. Ne jemi duke i kundërshtuar dhe në rast se nuk gjendet zgjidhje ne do të mbajmë edhe protesta”, tha Vranica.

Sipas masave të reja anti-Covid, shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 23:00, muzika lejohet vetëm deri në orën 21:30.