Gjykata Themelore në Prishtinë, i ka dënuar me 15 mijë euro publicistët dhe gazetarët Baton Haxhiu dhe Jeton Musliu, krejt kjo për shkak të dy shkrimeve shpifëse karshi figurës së Bujar Dugollit.
Shkrimet me titull “Bujar Trump”, dhe “Ku i more Bujar 3 milionë t’buta”, që ishin shkruar nga Baton Haxhiu dhe Jeton Musliu, e që ishin publikuar në gazetën Express në vitin 2007, kishin dëmtuar mjaft shumë imazhin e Bujar Dugollit.
Ky i fundit, përmes një shkrimi në Facebook, ka theksuar se këto shkrime ishin bërë me qëllim të prishjes së imazhit të tij përpara zgjedhjeve të vitit 2007.
Dugolli, shkroi se ai dhe familja e tij ishin shqetësuar tej mase për shkak të këtyre shpifjeve, mirëpo pas plotë 15 viteve thekson se drejtësia arriti të triumfonte.
Postimi i plotë i Bujar Dugollit:
‘’Drejtësia e vonuar, është drejtësi e munguar’’
NJOFTIM
Shkrimi shpifës dhe denigrues ‘’Ku i more Bujar 3 milion t’buta’’ dhe ‘’Bujar Trump’’ të datës: 22.09.2007, nga autorët Baton Haxhiu dhe Jeton Musliu, morën dënimin e dytë, tash nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Pas dënimit të shqiptuar nga Gjykata Komunale në Prishtinë, aktgjykimi penal i datës: 08.12.2010, ku kishte gjetur se të paditurit e lartcekur kishin kryer veprën penale të shpifjes, përmes këtyre dy artikujve, bazuar në vendimin e gjykatës, isha udhëzuar që kërkesën për dëmshpërblim ta ndjek në procedurë civile, për kompensim të dëmit material dhe jo material, kërkesëpadi që e kam ushtruar me: 28.02.2011, ndaj Baton Haxhiut nga Prishtina dhe Jeton Musliu nga Skenderaj.
Para disa ditësh, avokati im, z. Gafurr Elshani, më njoftoi se Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, ka nxjerrë një Aktgjykim, përmes së cilit pranohet pjesërisht si e bazuar kërkesëpadia, ndaj Baton Haxhiut dhe Jeton Musliu, për kompensim të dëmit material dhe jo material.
Objekt i theksuar i kësaj padie janë shkrimet shpifëse të datë: 22.09.2007, në gazetën Express me drejtor e autor Baton Haxhiu, shkrimi me titull ‘’Bujar Trump’’ dhe shkrimi tjetër, në po të njëjtën gazetë, me titull ‘’Ku i more Bujar 3 milion t’buta’’, me autor Jeton Musliun.
Shkrimet e tilla shpifëse dhe denigruese kishin ndodhur në prag të fushatës zgjedhore parlamentare të vitit 2007, ku qëllimi kryesor ishte dëmtimi shumëdimensional i imazhit, duke përhapur më qëllim lajme të rrejshme e shpifje të ulëta, të cilat ndikuan negativisht në karrierën politike duke krijuar edhe perceptimin të rrejshëm ndaj personalitetit tim.
Duke qenë i sigurt dhe i pastër në punën time, unë dhe Avokati Gafurr Elshani filluam këtë betejë ligjore për të vërtetën, betejë e cila ishte shumë e mundimshme dhe mjaft sfiduese.
Unë zgjodha të mos vazhdoj karrierën politike me një imazh të lënduar publik si rezultat i shpifjeve të tilla, ndërsa përmes betejës për drejtësi, të dëshmoj të vërteten e pamohueshme, dhe shpifësit të marrin dënimin e merituar.
Për 15 vite unë dhe familja ime ishim të atakuar nga perceptimi që shkaktuan këto shpifje dhe lajme të rrejshme, në gjendjen emocionale, duke shkaktuar ankth, shmangie nga rrethi social për shkak të ndjenjës së zhgënjimit e turpit nga komentet e masës, rënie të motivimit, por edhe pasoja të tjera psiko-sociale, të konstatuar në mënyrë të detajuar edhe nga ekspertët e gjykatës, të paraqitura në vendim.
Dua që përmes këtij njoftimi që paraqet përvojën time, si një histori e gjatë dhe e mundimshme në kërkim të drejtësisë, të shërbej në ri konfirmim të parimit se askush nuk është mbi ligjin, pavarësisht fuqisë që mund ta kenë njerëzit.
Drejtësia duhet të veprojë e paanshme dhe pa ndikime, ndaj të gjithëve, por edhe më kohë, kësisoj një lëndë e tillë nuk duhet të vonohet për 15 vite, pasi pasojat e saj janë shumë të mëdha, ndërsa shembulli si ky duhet të jetë edhe si mesazh për gazetarinë e mirëfilltë dhe etikën gazetareske, që të mos përsëriten rastet e tillë, ndaj kujtdo qoftë.
Në ditët në vazhdim bashkë me avokatin tim, z. Gafurr Elshani të cilin dua ta falenderoj, do ta shqyrtojmë në hollësi aktgjykimin dhe do të vendosim për hapat e mëtejshëm.
B.D.