Kryeministri Albin Kurti, sot njoftoi se në ditën e dytë të vizitës në Kosovë të Ministres së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, inauguruan parkun e ri të erës “Selac Windpark” në fshatrat Selac dhe Bajgorë të Mitrovicës.
Ai tha se prodhimi i energjisë nga ky park me erë, me 27 turbina, do të mbulojë 10% të kapacitetit të instaluar të vendit tonë dhe do të ulë emetimet e CO2 për 247 mijë tonë.“Me këtë investim Kosova ndërmerr hapin e parë të madh drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe të larmishme të furnizimit me energji të ripërtëritshme”, shkroi shefi i qeverisë në Facebook.
E gjithë ky projekt, sipas deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, i cili komentoi në postimin e kreut të VV-së në Facebook, është projekt i Qeverisë Thaçi.Ligjvënësi i partisë më të madhe opozitare shkroi se Kurti duhet ta falënderojë ish-kryeministrin Hashim Thaçi, i cili ia ka mundësuar ta inaugurojë të “paktën një investim strategjik”.
“Po inauguroni investimet e qeverise Thaçi, ndaj falenderojuni atij, qe ua mundesoj te inauguroni te pakten nje investim strategjik, ne keto tre vite te mbrapshta e te deshtuara te qeverisjes suaj”, vijon replika e Berishës në shkrimin e Kurtit.