Kryetari Lladrovci: Gratë janë vlerë e PDK-së dhe komunës së Drenasit

Nga dita kur ka filluar fushata zgjedhore në Drenas, dega e PDK-së, është vënë në lëvizje, për fitore më 17 tetor. Dua të veçoj se nga fushatat e mëparshme, dallimi është te energjia dhe vitaliteti i fushatës, të cilës po ia japin gratë me tubimet e njëpasnjëshme.
Këtë fushatë, dallimin po e bëjnë gratë. Dallim thelbësor.
Nga takimet e deritashme, gratë kandidate të PDK-së për asamble, së bashku me gratë asambliste, veprimtaret, aktivistet, ish asamblistët, intelektualet dhe simpatizantet e PDK-së, kanë mbajtur për 17 ditë, 63 takime, të gjitha, në pajtim me rekomandimet e masave anti covid.
Gratë kandidate për deputete, gjatë kësaj fushate, nuk janë përqendruar vetëm në bastionet nga vijnë, por edhe në aspektin profesional, shoqëror, duke përcjellë mesazhin dhe misionin e PDK-së, platformën tonë zgjedhore, të kondensuar në zbatimin e ligjshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies.
Fushata e grave të PDK-së për gratë, është mjaftë e lehtësuar, sepse, ka mjaft argumente për suksese gjatë mandatit të parë. Në takime, shpesh as që kërkohet prezantimi i platformës para grave të tubuara për fushatë, sepse, dominon entuziazmi, duartrokitja dhe numri 177. Fitorja është opsioni i vetëm.
Zbatimi i barazisë gjinore në vendimmarrje në komunën tonë, është arritje që mua më bën krenar, sepse, po ato asambliste, drejtoresha dhe zyrtare, janë kontribuuese dhe pjesë e suksesit tonë, për qeverisjen më të mirë në nivel të shtetit.
Andaj, parimet e mia për të përkrahur gratë në vendimmarrje, sikur gjatë këtij mandati, është parim i paluhatshëm edhe gjatë katër viteve të ardhme.
Gratë kanë dëshmuar se janë pjesë e performancës tonë të shkëlqyer, në ekzekutiv dhe lëmenjtë tjerë, janë dëshmuar në përgjegjësitë e veta, duke kontribuar si gjithmonë se ato janë vlerë, vlerë e shtuar e PDK-së dhe komunës së Drenasit.
Fushata e shkëlqyer e grave, për fitoren e PDK-së, më 17 tetor, është vlerë jona e pamohueshme.