Ky është i riu që dyshohet se rrahu një person në Degën e Gjykatës së Mitrovicës në Skenderaj, dërgohet në paraburgim

Korridori i Degës së Gjykatës Themelore të Mitrovicës në Skenderaj të mërkurën që lamë pas u shndërrua në ‘ring boksi’. Kjo pasi që me të përfunduar një seancë gjyqësore, një i ri ka shpërthyer në sulm fizik ndaj një personi. I dyshuari u arrestua dhe ndaj tij kanë nisur hetimet nga Prokuroria.

Burimet sinjalit kanë bërë me dije se i dyshuari është 21-vjeçari, Arbër Terakaj.

Terakaj dyshohet se ka sulmuar fizikisht një 38-vjeçar, të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore, për çka u detyrua të kërkojë ndihmë mjekësore në spital. 21-vjeçari fillimisht ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por më vonë ishte paraqitur në stacion dhe më pas është arrestuar.

Ndërsa gjatë ditës së djeshme Terakaj ka dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake, pasi që Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Dega Skenderaj, ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.

Burimet e Sinjalit brenda Gjykatës kanë bërë me dije se të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Arbër Terakaj do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *