Lushtaku e Nura në Skenderaj: Ata që i gëzohen burgosjes së çlirimtarëve nuk kanë vota në Drenicë

Fshatrat e komunës së Skenderajit, Klina e Epërme, Qubrel, Vitak si dhe Prekazi i Poshtëm lagjja Lushtaku kanë dhënë përkrahje të fuqishme për PDK-në, Sami Lushtakun dhe kandidatin për kryetar të komunës së Skenderajt, Fadil Nurën.

E vet kryetari i degës së PDK-së, në Skenderaj, Sami Lushtaku ka thënë se banorët e këtyre fshatrave edhe sot po i qëndrojnë besnik Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, dhe se duhet të vazhdohet kjo përkrahje për ta.

Lushtaku ka thënë se mesazhi duhet t’i shkoj Albin Kurtit duke mos e votuar atë, pasi që ai i është gezuar arrestimit të udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lushtaku:
“Skenderaj duhet t’i qojme nje mesazh Albin Kurtit i cili i është gëzuar shumë burgosjes të çlirimtarëve dhe mendoj se ata që i gëzohen burgosjes së çlirimtarëve që kanë bërë aq shumë për vendin, ata nuk kanë vend as në Drenicë dhe nuk do të marrin as vota në Drenicë. Sot jemi në mes dy partive politike, jemi në mes Kadri Veselit dhe Hashim Thaqit, apo dojmë me e votu Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen, sepse s’jemi n’garë me të tjerët. Ne nuk jemi kundër familjes Jashari, ai që është kundër familjes Jashari vec shqiptar nuk mund të jetë, dhe ne ja kemi dhënë edhe mundesinë Bekimit që të udhëheqë me komunën tone, mirëpo këtë komunë e ka lënë prapa, dhe tani duke mos votuar atë ne i bëjmë nderë familjes Jashari, dhe komunës së Skenderajt”, ka thënë Lushtaku.

Ndërsa kandidati për kryetar të kësaj komune, Fadil Nura ka premtuar që të gjitha projektet që kanē mbetur në gjysmë si pasojë e keq-qeverisjes nga kryetari i tanishëm, do të realizohen tani, dhe se Skenderaji do të ketë pamje ndryshe.

“E di saktësisht për cdo fshat dhe çdo lagje se ku i kemi lënë projektet dhe e di ku i kemi lënë të planifikuar kornizën afatmesme buxhetore për dy vite, dhe tani i shoh që janë bërë katër vite dhe ende nuk kanë përfunduar si pasojë e një qeversije të papergjegjshme. Prandaj ne, së bashku me gjenera Lushtakun ju garantojmë që projektet e mbetura në gjysmë do t’i trajtojmë me prioritet të menjëhershëm, dhe Skenderaji do të merr pamje tjetër”, ka thënë Nura.

Nura ka thënë se me qeverisjen e tij, Skenderajt do t’i kthehet përgjegjshmëria ndaj qytetarit dhe taksave të tyre, pasi që kryetari i komunës është shërbëtor ndaj taksapaguesve.