Masat e reja që pritet të miratohen: Mbetet maska, shtyhet ora policore dhe orari i gastronomisë

Masat anti-Covid do të vazhdojnë të jenë pothuajse të njëjta me ato të miratuara më 27 shtator. Ndryshim pritet të ketë në orarin e kufizimit të lëvizjes dhe në atë të gastronomisë.

Ushtruesja e detyrës së ministrit të Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, sot ka takuar përfaqësues të Asociacionit të Komunave të Kosovës, me të cilët ka diskutuar masat anti-Covid.

Drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se komunat kanë propozuar që të hiqet ora policore dhe maska kur një person është i vetëm në ambient të jashtëm, por kjo nuk është miratuar nga MSh-ja.

Ibrahimi bëri të ditur se do të ketë ndryshime sa i përket lirisë së lëvizjes dhe orarit të gastronomisë.

“Takimi ishte informues, jo koordinues. Kanë marrë pjesë vetëm kryetari i Mamushës dhe Suharekës. Ora policore do të jetë nga ora 00:00-05:00, ndërkaq orari i gastronomisë do të zgjatet deri në orën 23:00”, ka deklaruar Ibrahimi për Express.

Masat e diskutuara sot, pritet të miratohen në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Kosovës.