Mërgimtari: Më janë dëmtuar qëllimisht gomat në Serbi

Një mërgimtar i cili ishte nisur nga Gjermania për të ardhur në Kosovë i ka ndodhur diçka e papritur.

Ai thotë se para se të kalonte kufirin në Serbi dikush kishte vendosur gurë dhe armaturë në rrugë, por që ishte e pamundur të shiheshin, për shkak se ishin të mbuluara me borë, me ç’rast i ishin dëmtuar gomat.

Raportimin mërgimtari e bëri në faqen “Marakli t’Kerreve”.

“Përshëndetje të gjithë Maraklinjve. E di që shumica nga ju jetoni jashtë Kosovës. Deshta t’ju tregojë se çka më ka ndodhur mbrëmë. Duke ardhur në Kosovës rreth orës 00:30 isha në Serbi, afërsisht 20 km pa hyrë në Kosovë (Merdare), disa serbë i kanë vendosur disa armatura në rrugë të cilat ishin të mbuluara me borë dhe nuk u vërenin mirë dhe mu dëmtuan gomat me fellge. Pas dy minutash erdhën policia. Atyre ju thashë që dua ta thërras ADAC, ata më thanë jo mos e thirr, ne e thërrasim Schlepwagen. Deshta t’i bëj fotografi gurëve dhe armaturave, por nuk më lejuan. Më thanë hyr në veturë dhe mos bëj foto të vendit. Shkuan dhe i larguan gurët dhe armaturat, i kanë vendosur në skaj të rrugës. Pas afërsisht 5 minutash ka ardhur Schlepi, ku për 20 km më kushtoi 150 euro deri në Merdare. Nuk pata zgjidhje tjetër”.

Ai falënderoi Policinë e Kosovës të cilët thotë se i dolën në ndihmë në ato orët e vona.

“I falënderoi Policinë e Kosovës që kanë bërë një punë shumë të mirë dhe më kanë ndihmuar në atë orë. Ju apeloj të gjithëve. Ruajuni, sepse nuk është hera e parë qe ndodhin këso ngjarjesh”.