Ministrja Nagavci reagon pas vendimit për pezullim të grevës

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka mirëpritur ndërprerjen e grevës dhe fillimin e mësimit nga e hëna.Ajo i ka ftuar të gjitha shkollat që s’i kanë shpërndarë tekstet mësimore, që këtë ta bëjnë të hënën në orën e parë të mësimit.

Tutje, e para e arsimit tha kalendari i Vitit Shkollor duhet të ndryshohet, teksa shtoi se të hënën do ta formojnë grupin punues për të rishikuar këtë Udhëzim Administrativ.

“Do të vazhdojmë punën me intensitet të shtuar në përmirësimin e legjislacionit për licencimin e mësimdhënësve, vlerësimin e performancës dhe realizimin e shtesës së performancës”.

“Do të vazhdojmë vizitat e takimet në komuna e shkolla për të dëgjuar e adresuar secilën brengë e ide të nxënësve, mësuesve, prindërve e udhëheqësve të shkollave”.

“Një muaj i humbur i mësimit është një dëm i madh, andaj dhe puna e angazhimi i të gjithë neve për të përmirësuar këto humbje, duhet të jetë edhe më i madh”, ka shkruar Nagavci.

Më tej, Nagavci tha se si qeveri e ministri do të kenë në vëmendje përmirësimin e kushteve të punës në çerdhe e shkolla si dhe ofrimin e mundësive të barabarta për nxënësit e studentët.

“Po ashtu, mbështetjen e punëtorëve të arsimit drejt përmirësimit të mësimdhënies së tyre, bashkëpunimin me komunitetet e institucioneve edukativo arsimore, prindërit e nxënësit dhe angazhimin e përbashkët për përmirësimin e rezultateve në arsim, për shkolla të sigurta e ambiente miqësore”, shkroi ajo.

Nagavci, më tej tha se punëtorët e me Projektligjin e ri për Paga, punëtorët e arsimit janë trajtuar për herë të parë dinjitetshëm, ku sipas saj, do të kenë koeficientin më të lartë ndonjëherë.

“Ashtu siç kam vepruar që nga dita e parë e detyrës, jam e hapur për dialog social, angazhim të përbashkët në përmirësim të kushteve të punës, rezultateve në arsim si dhe avancim të pozitës së mësimdhënësve”.

“Mirëpresim dialogun social e bashkëpunimin e sinqertë, ashtu si urojmë që për të gjithë interesi më i mirë i fëmijëve të jetë në radhë të parë”.

“Një falënderim i veçantë për të gjitha edukatoret, mësueset e mësuesit, arsimtarët, drejtorët/eshat që megjithatë vendosën të jenë me nxënësit e tyre, në vendet e punës e punuan pa u ndalur”, është shprehur Nagavci.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *