Mjeku nuk ia pastroi plagën meqë ishte vikend, pacienti ia demolon zyrën

Një pacient në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas dje në mesditë ka dëmtuar orenditë e dhomës së reanimimit në këtë qendër.

Drejtori i QKMF-së në Drenas, Ismet Bogiqi, thotë se deri tek incidenti erdhi pasi pacienti kishte kërkuar nga mjeku kujdestar t’ia pastroj plagën, ndërsa ai sqaron se në vikend pastrohen vetëm plagët e shputave diabetike dhe infeksionet pasi që janë plagë që duhet pastruar çdo ditë, gjë të cilën pacientit ia ka sqaruar edhe mjeku kujdestar.

“Një pacient ka ardhë me marrë shërbim dje, të dielën, për pastrim të plagës, mirëpo të shtunën dhe të dielën punon vetëm kujdestaria dhe i trajtojmë vetëm plagët që duhet trajtuar për çdo ditë, shputat diabetike dhe infeksionet, jo plagët e ftohta”, sqaron drejtori për KALLXO.com.

Duke mos u bindur se plaga e tij duhet të pastrohet vetëm gjatë pesë ditëve të punës, pacienti është revoltuar dhe ka filluar të dëmtoj orenditë në dhomën e reanimimit.

“Ai është revoltuar dhe i ka përplasë pajisjet aty në dhomën e reanimimit. Fatbardhësisht nuk e ka përplasë defribulatorin”, tregon tutje Bogiqi, duke shtuar se nuk e din ende se sa është kosto e dëmtimeve.

Kjo qendër nuk ka sigurim, mirëpo drejtori thotë se mjeku menjëherë ka telefonuar Policinë e rajonit të Drenasit dhe pacientë është marrë për intervistim.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës thuhet se rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Kohëve të fundit sulmet apo pengimet ndaj mjekëve gjatë orarit të punës janë shumë të theksuar.