Një muaj paraburgim për sulmuesin e Mrika Nikqit, mbrojtja thotë se ishte nën ndikim të alkoolit

Një muaj paraburgim i është caktuar Flori Beqirajt, i dyshuar për sulmin seksual ndaj alpinistes Mrika Nikqi, rast ky që ka ndodhur më 27 shtator në Pejë.

Telegrafi mëson se në seancën e së shtunës në Gjykatën Themelore në Pejë, Beqiraj e ka pranuar kryerjen e kësaj vepre penale dhe ka deklaruar se gjatë kryerjes së veprës ka qenë nën ndikim të alkoolit.

Të njëjtën e ka deklaruar edhe avokati i tij mbrojtës, Adem Gorani, i cili ka kërkuar që klientit të tij t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak.

Alpinistja Mrika Nikqi ka publikuar të premten mbrëma një video ku shihet duke u sulmuar nga një person në një rrugicë në qytetin e Pejës.

Viktima Mrika Nikqi, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se “me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer  me paramendim nga personi F.B, anëtar i një familje të njohur në qytetin e Pejës”.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, në një prononcim për Telegrafin të shtunën, ka deklaruar se në lidhje me këtë çështje janë angazhuar dy prokurorët e shtetit të cilët kanë qenë në koordinim me Policinë e Kosovës, deri në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit.

“Pasi është raportuar ky rast me datën 27 shtator, Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht dy prokurorët e shtetit kanë qenë të angazhuar në këtë çështje penale në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe njësitë relevante, ku fillimisht është bërë identifikimi i personave përmes kamerave të sigurisë publike dhe më pas është bërë arrestimi i tij dhe me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë”.

“Gjatë ditës së sotme është bërë kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, që pritët të mbahet sot seanca e procedurës paraprake lidhur me shqyrtimin e kësaj kërkese në Gjykatën Themelore në Pejë”, ka thënë ai.

Më tej, Nikçi ka bërë të ditur se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në lidhje me rastin dhe se prokurori ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari Beqiraj ka kryer veprën e sulmit seksual. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *