Osmani dhe Kurti bëjnë homazhe në Prekaz: Kjo ditë na mbush me gëzim, krenari dhe përgjegjësi

Presidentja e vendit Vjosa Osmani bashkë me kryeministrin Albin Kurti, kanë nisur ditën me homazhe në Komplesin Memorial në Prekaz me rastin e festës së pavarësisë së Shqipërisë.

Presidentja Osmani tha se janë në Prekaz për të nderuar sakrificën e brezave të shumtë.

“Jemi këtu sot më 28 nëntor, për të nderuar sakrificën e brezave të shumtë, e cila kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, por vazhdoi edhe me shumë sakrifica të shqiptarëve për liri. Prandaj, sot e filluam ditën tek komandanti Adem Jashari dhe Familja Jashari, për të nderuar sakrificën e tyre, sepse 28 Nëntori, përveç simbolikës së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, është edhe datë kur ka lindur komandanti Adem Jashari dhe kur për herë të parë ka dal publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha Osmani.

Ndërsa, kryeministri Kurti tha se 28 Nëntori lidhet me ngjarjet e rëndësishme historike të vendin tonë. Ai u shpreh se kjo ditë na mbush me gëzim, me krenari dhe përgjegjësi.

“Datë themelore e identitetit kombëtar-shqipëtar, e që lidhet me ngjarjet më të rëndësishme historike tonat. Prej Skënderbeut në Krujë, te Ismail Qemali në Vlorë, te Adem Jashari në Prekaz dhe padyshim që kjo është një ditë e cila na mbush me gëzim, me krenari dhe përgjegjësi, për shkak se detyrat para nesh për të ngritur mirëqenien e qytetarëve tanë, për të zhvilluar vendim, për të shtuar demokracinë në vendin tonë, janë më të rëndësishme se kurrë më parë”, tha Kurti.

“Përkulemi dhe nderojmë ata që sakrifikuan dhe u flijuan për liri, për pavarësi e për bashkim”, u shpreh tutje kryeministri.

Të dy kanë uruar qytetarët për festat e nëntorit.