Paga minimale s’e prek pensionin e veteranëve

Rritja e pagës minimale nuk do të rrisë automatikisht edhe pensionet e veteranëve.

Qeveria e Kosovës ka bërë të qartë se nuk ka lidhshmëri të pagës minimale me pensionin e veteranëve pas heqjes së nenit 18 të Ligjit bazik për veteranët e luftës së UÇK-së që përcaktonte lidhshmërinë. Ndryshimi ishte bërë në vitin 2017, tre vjet pas miratimit të ligjit bazë. Në një përgjigje për KOHËN, Zyra e Kryeministrit ka thënë se duke i marrë parasysh pasiguritë juridike që mund të krijohen, tashmë janë ndërmarrë veprime për të eliminuar “pasiguritë juridike”.

“Lidhshmëria e pagës minimale me pensionin e veteranëve tashmë nuk ekziston meqë neni 18 i Ligjit bazik për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që përcaktonte këtë lidhshmëri ishte shfuqizuar me plotësimndryshimin e këtij e Ligji në vitin 2017. Megjithatë, marrë parasysh pasiguritë juridike që mund të krijohen për shkak të interpretimeve të ndryshme, edhe në raport me përfitimet për kategori tjera që rregullohen me ligje tjera, Ministria e Financave dhe Transfereve ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të adresuar dhe eliminuar çdo pasiguri juridike”, thuhet në përgjigjen e kryeministrisë.

Rregullimin e kornizës ligjore për t’i evituar të gjitha parregullsitë ekzistuese e ka paralajmëruar edhe kryeministri Albin Kurti.

Fillimisht, në ligjin bazë të veteranëve, neni 18 përcaktonte që lartësia e shumës së pensionit të veteranit s’mund të ishte më e vogël se paga minimale e përcaktuar në Kosovë. Ndërkaq në ndryshimin e mëvonshëm ishte hequr ky nen duke u thënë që pensioni i Veteranit Luftëtar caktohet në vlerën 250 euro, por që për shkak që s’ishte bërë kategorizimi, skema pensionale vazhdon të zbatohet ende me ligjin bazik.

Muaj më parë KOHA ka raportuar se Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta rregullojë çështjen e pagesës së veteranëve të luftës, në mënyrë që rritja e pagës minimale të mos ndikojë në rritjen e pensioneve të veteranëve. Gjithashtu qe kërkuar edhe kategorizimi dhe certifikimi sa më i shpejtë i veteranëve të luftës.

“Certifikimi i veteranëve të luftës duhet të finalizohet dhe buxheti për përfitimet e tyre duhet të izolohet nga rritja e mundshme e pagës minimale”, pati deklaruar Gabriel Di Bella, shef i Misionit të FMN-së për Kosovën.

Më 2017, me plotësim-ndryshim të ligjit për veteranët, buxheti për realizimin e pagesës ishte përcaktuar ndryshe dhe skema e re do të duhej të niste të aplikohej pas kategorizimit përfundimtar të veteranëve.

Për nivelin e ri të pagës minimale ka pasur shumë polemika së fundmi. Sindikata të ndryshme kanë kërkuar që ajo të jetë në vlera të ndryshme, prej 350 e deri në 400 euro.

Paga minimale ka disa vite që s’është ndryshuar në Kosovë. Ajo sillet prej 130 deri 170 euro.