Pirraku i DD-së kërkon nga kryetari i PDK-së të qëndrojë neutral

Asamblisti i zgjedhur me vota rekord në zgjedhjet e 17 tetorit, Mërgim Pirraku përmes facebookut ka bërë disa ankesa dhe thirrje për mos detyrim të largimit nga PDK.

Pirraku ka lutur kreun e PDK-së, Memli Krasniqi që të qëndrojë neutral, teksa ka thënë se në rast se mbahet ky qendrim, ata do tentojnë të sjellin kuadro të rinj në këtë parti, shkruan DrenicaSot.

Postimi:

Driton Ajazi është kandidati për kryetar i cili buron nga populli, sepse Dritonin e propozuan strukturat e degës. Nuk jemi si në kohën e komunizmit, kur kë dëshironte kryesia qendrore e emëronte kryetar komune. Kryetarin Memli dhe kryesinë qendrore të PDK-së e këshillojmë të rrinë neutralë, mos të na largojnë me detyrim nga PDK-ja. Ne duam të kontribuojmë dhe ta rrisim PDK-në, duam ta reformojmë atë duke sjellë kuadro që i bëjnë nder partisë dhe qytetarëve.
Unë personalisht kam qenë i dyti më i votuari në zgjedhjet e brendshme të vitit 2019, kurse kur erdhi koha ta formojmë kryesinë, klanet që e kanë sjellë partinë nën 18% në nivel vendi, na pamundësuan të jemi pjesë e kryesisë.

Është treni i fundit për qendrën e PDK-së të dëshmojnë se vërtetë duan të reformohen.

Gjithashtu, kërkoj mbështetje të fuqishme nga qytetarët të na mundësojnë që ta jetësojmë planprogramin tonë qeverisës, i cili është ndërtuar mbi profesionalizmin dhe ndershmërinë. Më 14 nëntor, me përkrahjen masive të qytetarëve do t’iu japim leksion partive që nuk duan t’i respektojnë strukturat që burojnë nga populli.