Sokol Bylykbashi përfundon mandatin e asambleistin: Kam bërë opozitën, pa inate dhe pa ofendime

Asamblesiti i VV-së për dy mandate, Sokol Bylykbashi ka përfunduar mandatin si Këshilltar Komunal në Drenas.

Ai ka shpalosur parimin e dhënë në momentin kur i është futur garës për asamble, teksa shkruan se e ka mbajtur në përpikmëri atë, përcjellë DrenicaSot.

Të mos fyej askënd e të flet pa inate, janë dy nga parimet që ai ja ka dalur t’i mbajë.

Sokol Bylykbashi ishte lider i opozitës në Drenas. Ai njofton se do jetë pjesë e politikbërjes, por se ku do ta shohim, apo në cilën pozitë, nuk e ka shpalosur ende.

Postimi i plotë:

Për herë të fundit si këshilltar komunal
Të dashur qytetarë të Drenasit, sot është mbajtur mbledhja e fundit e Kuvendit Komunal për këtë mandat. Për dy mandate radhazi, unë isha bartës i listës së kandidatëve për Kuvendin Komunal, me miratimin e strukturave të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Përveç betimit në letër, kisha një betim që ia pata dhënë vetes: që do të përfaqësoj interesin e përgjithshëm qytetarë; që nuk do të më ndalë askush e asgjë për të punuar për të drejtën e për të thënë të vërtetën; që do të jem konstruktiv në debate, duke propozuar edhe zgjidhje; që nuk do të fyej askënd e nuk do të flas me inat.
Përgjatë tetë viteve, kam bërë opozitë të parreshtur në Kuvendin Komunal. Aktivitetet opozitare i kam realizuar përmes fjalimeve, aksioneve simbolike dhe kallëzimeve penale. Krahas punëve në KK, kam bashkëpunuar vazhdimisht me aktivistë, qytetarë dhe institucionet lokale.
Sfida më e rëndësishme si përfaqësues lokal i qytetarëve, ishte nxitja e debatit dhe forcimi i rolit të KK-së, si organi më i lartë komunal, kundrejt ekzekutivit. Me ndihmën e kolegëve opozitarë, KK-ja ishte vendi ku diskutohej, kërkohej llogaridhënie dhe transparencë. Nismat dhe projektet e dëmshme të ekzekutivit, përkundër kundërshtimit, shpeshherë janë mbivotuar nga kolegët e pozitës.
Të dashur qytetarë, ishte nderë i madh për mua që isha shërbëtor i juaji. Kjo përvojë e jashtëzakonshme do të mbetet përgjithmonë në mbamendjen time. Falënderim për aktivistët e Lëvizjes për mbështetjen, qytetarët për besimin, kolegët për bashkëpunimin dhe gazetarët për informimin.
Mirupafshim në angazhimet e tjera politike!