Thaçit i vazhdohet masa e paraburgimit

Ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i është vazhduar masa e paraburgimit nga Dhomat e Specializuara.

Sipas njoftimit, është konstatuar se rreziku për pengim të procesit gjyqësor “mund të zvogëlohet mjaftueshëm vetëm nëpërmjet rregullave për monitorimin e komunikimeve, që zbatohen në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara”.

Seanca e ardhshme e procedurës paraprake do të mbahet më 4 shkurt, në orën 14:30.

“Në çështjen Thaçi dhe të tjerët, Gjykatësi i Procedurës Paraprake të martën, më 25 janar, e dorëzoi versionin e redaktuar publik të vendimit me të cilin urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të z. Thaҫi. Gjykatësi i Procedurës Paraprake konstatoi se rreziku që i akuzuari të pengojë procesin gjyqësor apo të kryejë krime të tjera mund të zvogëlohet mjaftueshëm vetëm nëpërmjet rregullave për monitorimin e komunikimeve që zbatohen në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara”, thuhet në njoftimin e plotë të Dhomave të Specializuara.

Më 5 nëntor 2020 Thaçit i ishte konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale, me ç’rast kishte dhënë dorëheqje nga posti i presidentit për t’u nisur në Hagë. Pas katër ditësh, Thaçi kishte bërë paraqitjen e parë para gjykatësit ku ishte deklaruar i pafajshëm.